Agjencia Spaciale Europiane (ESA) ka lançuar një projekt të ri të madh për të regjistruar të dhënat e vëzhgimit të Tokës, me OVHcloud që ofron ruajtje dhe procesim në cloud, dhe menaxhim projektesh nga kompania e IT dhe menaxhimit biznesit, CGI (përmes degës së saj France Défense et Spatial).
Sistemi i Informacionit për Vëzhgimin e Tokës i ESA-s, ose Digital EO, synon të mbledhë të dhëna rreth planetit tonë nga satelitët dhe pajisjet e tjera të vëzhgimit, për t’u përdorur në studime dhe kërkime.
Me një implementim fillestar në Itali, Francë dhe Gjermani, Digital EO do të mund të zgjerohet në vendet e tjera të Evropës, si dhe në Kanadë. Pavarësisht se ka braktisur Bashkimin Evropian, Mbretëria e Bashkuu mbetet anëtare e Agjencisë Spaciale Europiane dhe, si e tillë, ka akses në Digital EO.
Duke vlerësuar se rritja e mbledhjes së të dhënave nga satelitët dhe pajisjet e tjera kërkon një menaxhim më të mirë dhe një akses më të gjerë, ESA ka lançuar projektin Digital EO si një sistem i decentralizuar që mbështetet në ekspertizën e OVHcloud.
“Digital EO duhet të na lejojë të bëjmë një hap të ri në mënyrën se si menaxhohen dhe përdoren të dhënat e vëzhgimit të Tokës”, tha Nicolaus Hanowski, shefi i Departamentit të Menaxhimit të Misioneve dhe Segmentit Tokësor të ESA-s.
“Me CGI dhe OVHcloud, do të ndërtojmë dhe do të operojmë një sistem inovativ dhe sovran evropian, i aftë të mbështetë këtë ambicie dhe të ofrojë një mbështetje të qëndrueshme për programet e ESA-s dhe të Komisionit Evropian, si Copernicus dhe DestinE.”
OVHcloud do të mbështetë gjithashtu evolucionin e Sistemit të Informacionit për Vëzhgimin e Tokës të ESA-s, potencialisht përtej projektit fillestar prej 30 muajsh, me qëllim të sigurojë performancë dhe të përmbushë nevojat e përdoruesve të Digital EO.
ESA, e cila është nën mbikëqyrjen e Komisionit Evropian, ka një histori të gjatë të mbështetjes në kompanitë dhe teknologjitë e vendeve të ndryshme të kontinentit, në vend që të blejë zgjidhje nga SHBA, Kina, Koreja e Jugut ose Japonia.
Kompania franceze e teknologjisë së cloud, OVHcloud, është partneri ideal për projektin Digital EO (OVHcloud e quan vlerën e tij “me miliona” euro). CEO dhe themeluesi i saj, Octave Klaba, theksoi se “Evropa absolutisht duhet të ketë kontroll mbi infrastrukturën që e mbështet programet e saj më strategjike. Me Digital EO, ne i ofrojmë ekspertizën tonë të cloud-it sovran ESA-s, në mënyrë që ajo të mund të ndërtojë zgjidhje inovative për të procesuar, ruajtur dhe përfituar maksimalisht nga volumet gjithnjë në rritje të të dhënave të vëzhgimit të Tokës, për të mirën e komuniteteve të kërkimit, industriale dhe përdoruesve operativë.”
OVHcloud synon të ofrojë “performancë, rezistencë dhe siguri”, thotë Klaba, duke shtuar se ambicia është “të ndërtohet një Digital EO evropian i fortë dhe sovran, i aftë të evoluojë me kohën, në përputhje me nevojat dhe ambicjet e ESA-s.”
Burimi: TechRadar.com

