Një anije lundrimi i kalon ditët e saj e ankoruar në port, duke djegur naftë vetëm për të mbajtur ndezur dritat. Viking Libra është projektuar që t’i mbajë ato ndezur për 998 pasagjerët e saj për rreth 10 orë, duke përdorur një karburant shumë më të sigurt për mjedisin: hidrogjenin. Libra është në fakt anija e parë në botë e lundrimit me hidrogjen dhe kompania Fincantieri sapo ia ka dorëzuar atë Viking-ut në Ankona të Italisë.
Viking deklaron se anija “Libra” do ta kalojë sezonin e saj të parë duke lundruar nëpër Mesdhe dhe në Evropën veriore. Megjithatë, kompania nuk pret që si “Libra”, ashtu edhe anija e saj simotër – “Viking Astrea”, e cila është ende në ndërtim – të fillojnë të funksionojnë me hidrogjen përpara vitit 2027.
Lundrimet e mundësuara nga hidrogjeni mund të zbusin një nga problemet më të mëdha shëndetësore që këto anije shkaktojnë në qytetet ku ankorohen. Në Xhuno të Alaskës, autoritetet vendore deklarojnë se një anije e vetme turistike e ankoruar për tetë orë lëshon më shumë okside azoti sesa 10,000 makina, duke iu referuar shifrave të kompanisë së furnizimit me energji nga bregu, ABB.
Vende të tjera janë më pak tolerante ndaj këtyre emetimeve. Norvegjia do të kërkojë zero emetime nga anijet e pasagjerëve me 10,000 tonë bruto ose më shumë, siç është “Libra”, në fjordet e saj të Trashëgimisë Botërore duke filluar nga 1 janari 2032. Ndërsa në BE, anijet e lundrimit do të duhet të lidhen me rrjetin elektrik në shumicën e porteve kryesore duke nisur nga viti 2030, sipas grupit për transport të gjelbër Transport & Environment.
Sistemi i qelizave të karburantit i anijes Libra vjen nga fabrika e prodhimit të Isotta Fraschini Motori, degës së qelizave të karburantit të Fincantieri-t. Hidrogjeni i lëngshëm ushqen dy njësi të kontejnerizuara të qelizave të karburantit me membranë shkëmbimi protonik (PEM), të cilat e kombinojnë atë me oksigjenin nga ajri për të prodhuar energji elektrike, ku uji është i vetmi mbetje. Së bashku, ato gjenerojnë 6.3 MW, sipas Fincantieri-t, ndërsa një bateri me kapacitet 4.7 MWh përballon kulmet e kërkesës.
Rezervuarët e hidrogjenit mund të hiqen dhe të transportohen me kamionë, në mënyrë që anija të mos varet nga stacionet e hidrogjenit në port.
Libra shitet si një anije me hidrogjen, por në të vërtetë është hibride. Modaliteti i saj me zero emetime zgjat rreth 13 orë, nga të cilat tri orë gjatë lundrimit me 10 nyje (11.5 mph, 18.5 km/h) dhe 10 orë kur anija është e ankoruar. Pjesën tjetër të kohës, ajo operon me motorë konvencionalë. Fincantieri pret që ky mjet lundrues të ulë emetimet vjetore me rreth 20% krahasuar me një anije turistike që punon vetëm me lëndë djegëse fosile.
Megjithatë, çështja kryesore në lidhje me hidrogjenin mbetet gjithnjë burimi i tij. Asnjëra prej kompanive nuk ka bërë të ditur nëse ai do të jetë i gjelbër (i prodhuar me energji elektrike të rinovueshme) apo gri (i prodhuar nga gazi natyror, përmes një procesi që emeton CO2).
Libra nuk është anija e parë e lundrimit që ka eksperimentuar me qelizat e karburantit, megjithëse është e para e ndërtuar për t’i përdorur ato në një shkallë të konsiderueshme. Viking Neptune (e dorëzuar nga Fincantieri në vitin 2022) kishte një modul eksperimental hidrogjeni prej 100 kW. Në të njëjtin vit, MSC World Europa debutoi me një qelizë karburanti prej 150 kW që funksiononte me gaz natyror të lëngshëm. Që të dyja këto ishin vërtet në shkallë shumë të vogël. Vetë MSC pranoi se qeliza e saj e karburantit prodhonte “një pjesë të vogël të energjisë që na nevojitet”.
Gjetkë në botën e anijeve të pasagjerëve, mjete të tjera lundruese tashmë po përdorin hidrogjenin. Trageti norvegjez MF Hydra ka transportuar pasagjerë me hidrogjen të lëngshëm që nga marsi i vitit 2023, ndërsa anija Sea Change në San Francisko bën të njëjtën gjë me hidrogjen të kompresuar që nga korriku i vitit 2024. Gjithashtu, anijet mund t’i fikin motorët e tyre në port në mënyra të tjera, pasi një qendër lundruese e energjisë me hidrogjen ka përfunduar provat e saj në fillim të këtij viti.
Ajo është në gjendje të furnizojë deri në 5 MW për një anije të ankoruar.
“Viking mori vendimin parimor për të investuar te hidrogjeni, i cili ofron një zgjidhje me zero emetime të vërteta,” tha Torstein Hagen, aktualisht kryetar ekzekutiv i Viking, kur anija u prezantua në prill të vitit 2025.
Burimi: Viking
Burimi: newatlas.com

