Lansimi i Grand Theft Auto VI ka shkaktuar një tronditje në komunitetin e lojërave, me fansat në mbarë botën që presin me padurim mundësinë për t’u zhytur në botën virtuale të lojës. Megjithatë, një trend i ri po shfaqet ndërsa lojtarët e çojnë pasionin e tyre për lojërat në një nivel tjetër, duke kërkuar lokacione dhe përvoja të jetës reale të frymëzuara nga video-lojërat e tyre të preferuara.
Sipas hulumtimeve nga Hotels.com, udhëtarët janë gjithnjë e më shumë në kërkim të akomodimeve të frymëzuara nga lojërat elektronike (gaming), ku kërkimet për ambiente me salla lojërash janë rritur me 220% nga shtatori deri në nëntor të vitit 2026.
Ky trend, i quajtur “gami-vacations” (pushime të lidhura me lojërat), po nxitët nga popullariteti i titujve si Ghost of Tsushima dhe Assassin’s Creed, krahas një dëshire në rritje për udhëtime të bazuara në hobi. Udhëtarët po zgjedhin të zhyten në vende të lidhura me interesat e tyre dhe t’i sjellin botët e tyre të preferuara fiktive në jetën reale.
Për shembull, fansat e Grand Theft Auto VI po dynden drejt Majamit dhe Panama City Beach, të cilat frymëzuan mjedisin imagjinar të “Vice City” në lojë. Kërkimet për këto destinacione janë rritur përkatësisht me 70% dhe 130% krahasuar me vitin e kaluar.
Edhe hotelet po përfshihen në këtë trend, ku disa prej tyre ofrojnë ambiente të dedikuara për lojëra elektronike për mysafirët. Hoteli nhow Berlin në kryeqytetin e Gjermanisë ka dhoma të ndërtuara posaçërisht për lojëra, të pajisura me pajisje me performancë të lartë dhe konsola, ndërsa Steam Hotel në Suedi disponon një suitë të dedikuar për lojëra, të projektuar për t’u argëtuar me miqtë. Madje, edhe resortet luksoze po bëhen pjesë e kësaj risie, ku resorti Kandima Maldives ofron një hapësirë të quajtur “PlaySpace” me pajisje lojrash dhe zona për socializim.
Tendenca pritet të shkojë një hap më tej në vitin 2027, me hapjen e një hoteli të ri “Minecraft World” pranë Londrës. Kjo do t’u japë fansave mundësinë të flenë brenda botës së videolojës më të shitur të të gjitha kohërave. Pushimet e bazuara në lojëra, ose “gami-pushimet”, po bëhen një mënyrë gjithnjë e më popullore për të udhëtuar, ku fansat drejtohen drejt vendeve reale që shfaqen në videolojërat e tyre të preferuara.
Disa udhëtime e çojnë përvojën e lojërave edhe më tej, me aplikacione që ofrojnë misione, kërkime, sfida, shpërblime dhe medalje, duke e shndërruar vizitën e vendeve turistike në diçka që i ngjan një loje të vërtetë.
Autoritetet e turizmit po ndërgjegjësohen gjithnjë e më shumë për potencialin e turizmit të lojërave elektronike, ku disa prej tyre po bashkëpunojnë drejtpërdrejt me zhvilluesit për t’i vendosur destinacionet e tyre në hartë. Çekia, për shembull, ka bashkëpunuar me krijuesit e lojës Kingdom Come: Deliverance 2 për të promovuar vendndodhjet që shfaqen në lojë. Ndërsa ky trend vazhdon të rritet, është e qartë se lojërat elektronike nuk janë më thjesht një hobi, por një mënyrë jetese për shumë admirues të tyre.
Burimi: Euronews

