Një studim i ri ka zbuluar se të qenit dëshmitar i shkeljes së një rregulli nga dikush tjetër mund t’i bëjë njerëzit më të prirur për ta shkelur vetë atë, veçanërisht nëse shkelësi i rregullave ndan të njëjtat bindje politike me ta. Hulumtimi, i realizuar nga një ekip shkencëtarësh në Universitetin e Amsterdamit, përfshiu një eksperiment online ku 750 të rriturve në Shtetet e Bashkuara iu kërkua të plotësonin një detyrë që përfshinte zgjedhjen midis respektimit të një rregulli ose mashtrimit.
Detyra ishte konceptuar për të imituar situata të jetës reale në të cilat njerëzit tundohen të shkelin rregullat për përfitime personale. Pjesëmarrësve iu shfaq një yll që binte në formë animacioni, i cili kalonte përmes një rreshti katrorësh, dhe iu kërkua të klikonin mbi katrorin ku ai shkëlqente më shumë. Megjithatë, katrorët më të djathtë ofronin më shumë para, duke krijuar kështu një nxitje të fortë për të mashtruar.
Në këtë eksperiment, pjesëmarrësve iu kërkua fillimisht ta kryenin detyrën vetë, e më pas iu tregua se çfarë kishte bërë një pjesëmarrës i mëparshëm. Zgjedhja e pjesëmarrësit të mëparshëm ishte ose ndjekja e rregullit, ose përshtatja, ose thyerja e tij tërësore, ndërsa u bë e ditur edhe përkatësia politike e pjesëmarrësit. Detyra u përsërit gjashtë herë, duke u mundësuar studiuesve të ndiqnin se si ndryshonte sjellja e pjesëmarrësve në përgjigje të asaj që kishin parë.
Rezultatet treguan se kur pjesëmarrësit shihnin dikë nga partia e tyre të shkelte rregullin, ata kishin gati dy herë më shumë gjasa të bënin të njëjtën gjë. Përkundrazi, të parit e dikujt nga e njëjta parti teksa zbatonte rregullin, pati pak efekt në sjelljen e tyre. Studiuesit gjetën gjithashtu se shkeljet e vogla të rregullit kishin një ndikim të vogël, ndërsa shkeljet flagrante kishin një ndikim shumë më të madh.
Interesant është fakti se studimi zbuloi që njerëzit të cilët kishin më shumë gjasa ta shkelnin rregullin, ishin gjithashtu më të prirur për ta përshkallëzuar sjelljen e tyre dhe për ta shkelur atë në një shkallë më të madhe sesa personi që kishin vëzhguar. Sipas Lucas Molleman, profesor i asociuar i psikologjisë së zhvillimit në Universitetin e Amsterdamit, kjo mund të krijojë një “efekt dëbore” dhe të çojë në një shkelje të përhapur të rregullave.
Studiuesit kryen gjithashtu simulime kompjuterike për të parë se si zgjedhjet individuale mund të ndikojnë në një mjedis grupi. Ata zbuluan se kur ishin të pranishëm një numër i vogël personash të prirur për përshkallëzimin e sjelljes së tyre, kjo mund ta çonte të gjithë grupin drejt shkeljeve të rënda të rregullave. Megjithatë, kur grupet e simuluara përmbanin një përqindje të ngjashme të personave që ndiqnin rregullat, ashtu si në eksperimentin real, shkeljet e rregullave stabilizoheshin në një nivel mesatar.
Gjetjet e këtij studimi kanë implikime për mënyrën se si ne e kuptojmë procesin e vendimmarrjes dhe zbatimin e rregullave. Molleman vuri në dukje se bota reale është shumë më komplekse se eksperimenti dhe se faktorë të tillë si ndëshkimi dhe presioni shoqëror gjithashtu mund të ndikojnë në përhapjen e shkeljes së rregullave. Ai gjithashtu sugjeroi se studimi sfidon idenë se njerëzit marrin vendime në mënyrë të pavarur dhe, përkundrazi, thekson ndikimin që kanë të tjerët në sjelljen tonë.

