Njësia e investimeve e familjes Wallenberg, një prej dinastive financiare më të shquara të Suedisë, ka blerë një pjesë të aksioneve të pakicës në kompaninë suedeze të teknologjisë së thellë (deeptech) Algoryx, njoftoi sot kompania. Wallenberg Investments ka marrë një pjesë të pazbuluar të aksioneve të pakicës në Algoryx, bëri të ditur kompania.
Algoryx zhvillon softuer që simulon sjelljen e robotëve dhe makinerive të rënda në botën reale, duke gjeneruar të dhëna sintetike për të trajnuar inteligjencën artificiale që kontrollon makineritë autonome.
Algoryx ka ndërtuar teknologji për simulimin e fizikës dhe mjete softuerike për prodhuesit e makinerive, kompanitë e robotikës, klientët industrialë dhe projektet hapësinore në mbarë Evropën, Amerikën e Veriut dhe Azinë.
Kompania u themelua në vitin 2007 si një degëzim (spin-off) nga Universiteti Umeå i Suedisë.
Fondet e reja do të përdoren për zgjerimin e ekipit, rritjen e kapacitetit kompjuterik dhe përshpejtimin e kërkimit në fushën e inteligjencës artificiale, si dhe zhvillimin e platformës së saj të produkteve të gjeneratës së ardhshme. Themeluesit dhe punonjësit e Algoryx mbeten pronarët shumicë të kompanisë.
Alex Basu, Drejtues i Sipërmarrjeve në Wallenberg Investments, u shpreh: “Algoryx ndërthur ekspertizën e thellë në simulimin e fizikës me marrëdhënie të ngushta industriale. Prandaj, ky investim përputhet plotësisht me fokusin tonë për të mbështetur liderët e teknologjisë në nxitjen e rinovimit industrial dhe konkurrueshmërisë në Evropë.”
Burimi: Tech.eu

