Champs-Élysées në Paris është shndërruar në një mjedis magjik dimëror me ndezjen e dritave për sezonin festiv. Bulevardi, i cili është një nga rrugët më të famshme në botë, është zbukuruar me një shfaqje maksimale dritash, ku përfshihen 400 pemë dhe dy milionë llamba LED. Shfaqja e dritave, e cila do të zgjasë deri më 4 janar 2027, do të shoqërohet nga një program pesëminutësh me tri skena, ku çdo çerek ore do të shfaqet një tematikë e ndryshme.
Shfaqja, e cila do të jetë e dukshme nga ora 17:00 deri në 01:00, do të përfshijë nuancat e ftohta të “Zgjimit të Natyrës”, të ndjekura nga ngjyrat e ngrohta të “Ardhjes së Dimrit” dhe, në fund, yjet që bien të “Natës me Yje”. Dritat do të jenë gjithashtu të sinkronizuara me Kullën Eifel, çka do t’i shtojë atmosferës festive edhe më shumë hijeshi.
Tregu i Krishtlindjeve në Champs-Élysées, i cili kishte munguar për 10 vitet e fundit, është rikthyer gjithashtu. Dyqind ekspozues kanë hapur tezgat e tyre në shtëpiza druri midis Rond-Point des Champs-Élysées dhe Place de la Concorde. Tregu do të ofrojë një gamë të gjerë produktesh festive, duke përfshirë ushqime, pije dhe punime artizanale, me fokus te produktet franceze. “80% e asaj që ofrohet do të jetë e prodhuar në Francë”, tha Marc-Antoine Jamet, sekretar i përgjithshëm i LVMH dhe president i Komitetit të Champs-Élysées, në një intervistë për RMC.
Tregu i Krishtlindjeve do të përfshijë gjithashtu një sërë aktivitetesh, duke përfshirë një pistë patinazhi, një karusel, Shtëpinë e Babagjyshit, një renë monumentale dhe rreth 20 instalacione skenografike. Tregu do të menaxhohet nga kompania familjare 2A nga Nanta, e cila ka marrë përsipër organizimin nga një kompani e mëparshme që ishte përfshirë në një polemikë lidhur me cilësinë e argëtimit dhe produkteve të shitura.
Nisja e sezonit të dritave të Krishtlindjeve dhe ringjallja e tregut të Krishtlindjeve shihen si një nxitje e madhe për Champs-Élysées, i cili tërheq 14.3 milionë vizitorë çdo vit. Presidenti i Komitetit të Champs-Élysées tha se ndriçimi dhe tregu i Krishtlindjeve janë çështje të “imazhit, reputacionit, famës dhe tërheqjes” për tregtarët e bulevardit. Ai shtoi se ngjarja është një “sinjal gëzimi, pajtimi, qetësie dhe paqeje që ne dërgojmë midis obeliskut dhe Harkut të Triumfit”.
Prefektura nuk ka autorizuar marshimin e protestave në Champs-Élysées, por ky vend mbetet një lokacion simbolik që përdoret rregullisht gjatë protestave sociale. Pavarësisht kësaj, Komiteti i Champs-Élysées shfaq optimizëm, duke thënë se është në kontakt të rregullt me prefektin e Parisit dhe është i bindur se ngjarja do të jetë një sukses.
Burimi: Euronews

