Kryevepra e vitit 1642 e Rembrandt van Rijn, “Rojet e Natës”, konsiderohet gjerësisht si një nga pikturat më të famshme të Epokës së Artë Hollandeze. Rijksmuseum në Amsterdam, ku është ekspozuar kjo vepër, e konsideron atë si “pikën e kthesës në karrierën e tij dhe si shembullin më të lartë të gjeniut të tij krijues”. Megjithatë, piktura nuk është thjesht një vepër arti statike, por edhe një entitet i gjallë, që vlon nga forma mikroskopike jete.
Një projekt dhe ekspozitë e re, “Rojet e Natës Jetojnë”, ka zbuluar botën e fshehur të mikrobeve që mbulojnë pikturën. Studimi është një bashkëpunim shkencor dhe ekspozues midis Rijksmuseum dhe ARTIS-Micropia, një muze në Amsterdam kushtuar botës së mikroorganizmave. Ai është pjesë e projektit më të gjerë të restaurimit dhe kërkimit “Operacioni Rojet e Natës”, i cili filloi në vitin 2019 dhe është studimi dhe restaurimi më i madh dhe më gjithëpërfshirës i pikturës më të famshme të Rembrandt-it.
Projekti kërkimor, i udhëhequr nga mikrobiologia Eline van Bloois, synon të “vërë mikrobet në një dritë pozitive”. Van Bloois, e cila mbështet idenë për t’u dhënë mikrobeve më shumë vëmendje pozitive, beson se ato meritojnë më shumë njohje. Gjatë një periudhe gjashtëmujore, ajo do të marrë mostra një herë në muaj direkt nga piktura në Rijksmuseum, e shoqëruar nga personat që punojnë për restaurimin e “Rojet e Natës”.
Duke përdorur disqe të vogla sterile të shtypura butësisht mbi zona të përzgjedhura të pikturës, mostrat mbledhin material mikroskopik si nga pjesët e vernikuara ashtu edhe nga ato të pavernikuara. Këto mostra më pas kultivohen në laboratorë, duke lejuar që mikrobet e padukshme më parë të rriten në koloni të dukshme që mund të studiohen dhe identifikohen. Në ekspozitën “Rojet e Natës Jetojnë”, vizitorët mund të shohin pjata Petri që përmbajnë kolonitë mikrobike të kultivuara. Një riprodhim në përmasa reale i kryeveprës së Rembrandt-it tregon gjithashtu se ku janë marrë mostrat dhe cilat mikroorganizma janë gjetur atje.
Vizitorët e ekspozitës do të jenë në gjendje të ndjekin rezultatet e studimit ndërsa ato shpalosen, me katër seanca të tjera marrjeje mostrash që do të shtohen gjatë muajve në vijim. Kjo do të thotë se vizitorët “do të zbulojnë atë që unë kam gjetur ndërkohë që unë vetë jam duke e zbuluar”, shpjegon van Bloois. “Ne vërtet i marrim ata me vete në këtë udhëtim.”
Studimi ka zbuluar një sërë mikroorganizmash, duke përfshirë baktere që gjenden zakonisht në lëkurën e njeriut, të cilat janë pjesë e shëndetshme e mikrobiomës. Megjithatë, një bakter u dallua në mostra: Microbacterium saccharophilum, një specie e identifikuar për herë të parë në një rafineri sheqeri në Japoni në vitin 2013. Se si ky mikroorganizëm përfundoi në pikturën holandeze “Rojet e Natës” (Night Watch), apo kur, mbetet një mister.
Mostrat zbuluan gjithashtu baktere nga toka, të cilat gjenden shpesh në rrënjët e bimëve. A mund të dëmtojnë këto organizma pikturën në ndonjë mënyrë? A mund të fillojnë të rriten bimë mbi vepër? Van Bloois shpjegon pse kjo është shumë pak e mundshme: Në pikturë, bakteret mund të formojnë spore inaktive, por për qëllimet e studimit, studiuesi “u siguroi atyre të gjithë lëndët ushqyese, temperaturën e duhur dhe lagështinë e përshtatshme që i lejoi ato të rriteshin sërish”.
Studimi i këtyre organizmave mund të kontribuojë përfundimisht në kuptimin e mënyrës se si plaken pikturat, si ndikojnë kushtet mjedisore në trashëgiminë kulturore dhe si mund t’i ruajnë më mirë muzetë veprat e artit me vlerë të paçmueshme. Për sa i përket faktit nëse mikroorganizmat mund t’i përkasin kohës së Rembrandtit, mikrobiologu thotë se kjo është gjithashtu “shumë pak e mundshme” – por edhe këtu, mikrobet nuk mund ta zbulojnë historinë e origjinës së tyre.
Projekti gjithashtu mishëron në mënyrë të përkryer emrin e plotë të muzeut ku mbahet ekspozita: Natura Artis Magistra, një frazë latine që përkthehet si “natyra është mësuesja e artit dhe shkencës”. Siç thekson van Bloois, “Është vërtet fantastike të shohësh shkencën dhe artin të bashkohen në këtë projekt”.
Ekspozita “Rojet e Natës jetojnë” (The Night Watch Lives) është e hapur në ARTIS-Micropia në Amsterdam deri në fund të majit 2027.

