Në fillim të këtij muaji, Euronews Travel hulumtoi botën komplekse të programeve të besnikërisë së linjave ajrore. Duke qenë se udhëtarët e shpeshtë shpesh qëndrojnë rregullisht në hotele, është krejtësisht logjike të shqyrtohen programet e besnikërisë së zinxhirëve kryesorë të hoteleve në Evropë. Shumica e skemave të hoteleve ofrohen falas për t’u anëtarësuar dhe ofrojnë tarifa të zbritura për rezervimet direkte, por anëtarësimi sjell më shumë përfitime sesa thjesht kursime.
Ashtu si në programet e besnikërisë së linjave ajrore, skemat e besnikërisë së hoteleve shpërblejnë mysafirët e rregullt me përfitime të tilla si mëngjesi falas, mundësia e daljes së vonuar nga hoteli dhe përmirësimi i kategorisë së dhomës. Anëtarët gjithashtu mund të grumbullojnë pikë, të cilat mund t’i shkëmbejnë për netë qëndrimi falas ose përmirësime të dhomave. Shumë programe hoteliere ofrojnë mundësinë për të fituar milje, duke u lejuar mysafirëve që të grumbullojnë më shpejt mjaftueshëm pikë për një përmirësim të klasit të udhëtimit në bord.
Këtu kemi mbuluar zinxhirët kryesorë të hoteleve që ka të ngjarë të ndeshni në Evropë, por gjithmonë ia vlen të kontrolloni nëse hoteli juaj ka programin e tij të besnikërisë, edhe nëse bëhet fjalë për një grup më të vogël. Për shembull, zinxhirët e hoteleve luksoze si Shangri-La dhe Mandarin Oriental kanë skemat e tyre.
Marriott Bonvoy është një nga programet më të mëdha të besnikërisë në industrinë hoteliere, me mbi 1.7 milionë dhoma në mbarë botën. I themeluar në vitin 1957, Marriott International sot zotëron marka të njohura si The Ritz-Carlton, St. Regis dhe Moxy. Nëpërmjet Marriott Bonvoy, mysafirët mund të fitojnë pikë nga qëndrimet, shërbimet e ushqimit dhe pijeve, e madje edhe nga lojërat e golfit.
Anëtarët mund t’i shkëmbejnë pikët për qëndrime, përmirësime të shërbimeve apo marrje të makinave me qira, si dhe t’i transferojnë ato me një raport 3:1 drejt shumë linjave ajrore evropiane, duke përfshirë Air France, British Airways dhe TAP Air Portugal.
Programi i besnikërisë ALL i Accor është kompania më e madhe e mikpritjes në Evropë, me gati 6,000 prona në të gjithë kontinentin. Mysafirët mund të fitojnë pikë përmes qëndrimeve, ngrënies dhe marrjes së makinave me qira, si dhe t’i konvertojnë ato në milje me linjat ajrore partnere si AEGEAN, Finnair dhe KLM. Përfitimet për anëtarët e niveleve më të larta përfshijnë pije mirëseardhjeje, përmirësime të dhomave, akses në sallat e pritjes dhe mëngjes falas.
Programi IHG One Rewards i InterContinental Hotels Group operon me gati 7,000 hotele në mbarë botën, duke përfshirë marka si Six Senses, Voco dhe Holiday Inn. Anëtarët mund të grumbullojnë pikë përmes qëndrimeve në hotele dhe të përditësojnë preferencat e tyre për të fituar automatikisht milje nga linja ajrore e zgjedhur, përfshirë British Airways, Iberia dhe Lufthansa. Anëtarët e niveleve më të larta gëzojnë përfitime të tilla si përmirësimet falas të dhomës, si dhe mundësia për regjistrim të hershëm dhe dalje të vonuar nga hoteli.
Hilton Honors është një tjetër program madhor besnikërie, me mbi 1.500 hotele në 83 vende. Vizitorët mund të grumbullojnë pikë përmes qëndrimeve në hotele dhe shpenzimeve për ushqim e pije, të cilat mund t’i shfrytëzojnë për qëndrime të tjera, makina me qira dhe përvoja të ndryshme. Përfitimet e niveleve përfshijnë zbritje në shërbimet spa, përmirësime të kategorisë së dhomës, akses në sallat VIP dhe mundësi për të dalë nga hoteli pas orarit të përcaktuar. Anëtarët mund t’i konvertojnë gjithashtu pikët në milje me linja ajrore si Air France, Turkish Airlines dhe Virgin Atlantic.
Programi GHA DISCOVERY i Global Hotel Alliance bashkon mbi 60 marka hotelesh nën një skemë të vetme besnikërie. Anëtarët fitojnë “DISCOVERY Dollars”, të cilat mund të përdoren për pagesën e akomodimit në të gjithë aleancën. Anëtarët e niveleve më të larta përfitojnë nga përmirësimi i dhomës, check-out i vonuar dhe mëngjes falas, ndërsa fitojnë më shumë “DISCOVERY Dollars” në varësi të nivelit të tyre.
MeliáRewards është programi i besnikërisë i grupit hotelier Meliá, me 362 objekte në 35 vende të ndryshme. Mysafirët mund të fitojnë pikë përmes qëndrimeve, shërbimeve të restoranteve dhe trajtimeve spa, të cilat mund t’i shfrytëzojnë për rezervime hotelesh. Përfitimet për nivelet më të larta përfshijnë dhurata mirëseardhjeje, largim të vonuar nga hoteli, përmirësim të kategorisë së dhomës dhe mëngjes falas.
Wyndham Rewards është një tjetër program madhor besnikërie, që përfshin mbi 9,100 hotele nën më shumë se dy duzina markash. Vizitorët mund të fitojnë pikë përmes qëndrimeve në hotele, shpenzimeve në Ticketmaster dhe në restorantet pjesëmarrëse, të cilat mund t’i shkëmbejnë për netë falas ose zbritje. Anëtarët e niveleve më të larta përfitojnë nga mundësia e regjistrimit të hershëm dhe largimit të vonuar, përmirësimi i kategorisë së dhomës në suita, si dhe shërbime të veçanta mirëseardhjeje.
Radisson Rewards është programi i besnikërisë i Radisson Hotels, me mbi 1,640 prona në mbarë botën. Anëtarët mund të fitojnë pikë përmes qëndrimeve në hotele dhe shërbimeve të ushqimit, si dhe përmes partnerëve si GetYourGuide dhe kompanive të marrjes së makinave me qira. Pikët mund t’i shfrytëzoni për të mbuluar koston e qëndrimeve ose për pajisje aksesi në sallat VIP të aeroporteve, apo t’i konvertoni ato në milje me partnerë si SAS ose British Airways.
Së fundi, Dis-loyalty është një program besnikërie unik që shpërblen mysafirët për provimin e hoteleve të reja. Anëtarët përfitojnë zbritje në të gjitha markat hoteliere të Ennismore, duke përfshirë 25hours, Delano dhe The Hoxton. Në çfarë qëndron veçantia e tij? Ju shpërbleheni kur shkoni në një vend të ri, me një zbritje prej 50% për qëndrimet në hotelet që sapo janë hapur brenda tre muajve të parë, 20% zbritje për çdo vizitë të parë, si dhe 10% zbritje standarde për qëndrimet pasuese, si dhe për shërbimet e ushqimit dhe pijeve.
Burimi: Euronews

