Azerbajxhani, Gjeorgjia, Rumania dhe Hungaria ranë dakord të diskutojnë përfshirjen e mundshme të Turqisë në projektin e tyre të Korridorit të Energjisë Gjelbër. Kjo është një nismë e përbashkët për një sistem të transmetimit të energjisë midis Baku-së dhe Albertirsa-s pranë Budapestit, e cila përfshin kabllo nënujore në Detin e Zi.
Në Bukuresht u mbajt takimi i 13-të ministerial dhe i Komitetit Drejtues në kuadër të Marrëveshjes për Partneritet Strategjik në Fushën e Zhvillimit dhe Transmetimit të Energjisë së Gjelbër ndërmjet qeverive të Azerbajxhanit, Gjeorgjisë, Rumanisë dhe Hungarisë, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Komisionit Evropian, kompanisë “Green Energy Corridor Power Co.” (GECO), konsulencës inxhinierike italiane CESI, Bankës Botërore dhe operatorëve kombëtarë të sistemeve të transmetimit të energjisë elektrike (OST).
Me seli në kryeqytetin e Rumanisë, GECO u krijua për të projektuar, siguruar financimin, ndërtuar dhe operuar një sistem të transmetimit të energjisë elektrike që lidh të katër vendet. Projekti përfshin tre kabllo nëndetëse në Detin e Zi.
Korridori i propozuar i Energjisë Gjelbër nga Bakuja deri në Albertirsa pranë Budapestit vlerësohet në 14.3 miliardë euro, plus 7.8 miliardë euro për kapacitetet e dedikuara të prodhimit të energjisë elektrike të rinovueshme. Ai do të përbëhet nga tri rrugë, duke përfshirë tri kabllo 525 kV me nga 1.3 GW secila, të cilat do të shtrihen nën Detin e Zi midis Gjeorgjisë dhe Rumanisë. Gjithashtu, po merret në konsideratë edhe një tubacion hidrogjeni.
GECO do të transmetojë gjithashtu të dhëna
Gjatë takimit në Bukuresht, ministri i Energjisë i Azerbajxhanit, Parviz Shahbazov, mirëpriti interesimin e Turqisë për t’u bashkuar me nismën, duke theksuar se korridori do të transmetojë gjithashtu edhe të dhëna. Ai vuri në dukje se faza përgatitore ka përfunduar dhe se fizibiliteti i projektit është konfirmuar.
Vendimi përfundimitar për investimin parashikohet për vitin 2029, i ndjekur nga dërgesat e para të energjisë elektrike në vitin 2032, shtoi Shahbazov.
Vendimi përfundimitar për investimin parashikohet për vitin 2029
Vendimi përfundimtar për investimin synohet të merret në vitin 2029
Ndërmarrja e përbashkët bëri të ditur se e ka për detyrë të përzgjedhë një partner zhvillimi. Pjesëmarrësit në takim ranë dakord që të kryejnë studime të mëtejshme të shtratit të Detit Zi dhe të vazhdojnë bisedimet mbi pjesëmarrjen e mundshme të Turqisë dhe komponentin e kabllit me fibër optike të korridorit.
GECO synon të bëhet një projekt me interes të ndërsjellë (PMI) në kuadër të Rregullores së Bashkimit Evropian për Rrjetet Trans-Evropiane të Energjisë (TEN-E).
Korridori i Energjisë Gjelbër vlerësohet në 22.1 miliardë euro. Sipas kompanisë, segmenti i transmetimit do të kushtojë 14.3 miliardë euro, ndërsa kapaciteti i dedikuar i prodhimit të energjisë elektrike të rinovueshme arrin në 7.8 miliardë euro.
Bayraktar i Turqisë ripërtërin angazhimin ndaj projektit rival të korridorit të energjisë
Në të njëjtën kohë, Azerbajxhani, Gjeorgjia, Turqia dhe Bullgaria po punojnë për një korridor të energjisë së gjelbër tokësor. Ai do të përfshijë gjithashtu kabllo me fibër optike dhe me sa duket do të rivalizojë GECO-n.
Interesantisht, ministri i Energjisë dhe Burimeve Natyrore i Turqisë, Alparslan Bayraktar, sapo ka riafirmuar angazhimin ndaj kësaj nisme.
Vendi po planifikon të rrisë kapacitetin e ndërlidhjes së energjisë elektrike me vendet fqinje në 15 GW dhe po forcon lidhjet me Gjeorgjinë, Azerbajxhanin dhe Bullgarinë përmes projektit të tyre të transmetimit të energjisë së gjelbër, tha ai. Bayraktar e quajti atë “TANAP-i i energjisë elektrike”, duke iu referuar Gazsjellësit Trans-Anatolian të Gazit Natyror.
Burimi: Balkan Green Energy News

