Genesis ka prezantuar sistemin e saj hibrid të gjeneratës së ardhshme, i cili përfshin një dizajn të baterisë me ftohje me lëng. Debutimi global i modelit G80 Hybrid dhe ai për tregun e Amerikës së Veriut i modelit GV80 Hybrid u zhvilluan këtë javë në Panairin e Automjeteve në Los Anxhelos.
AutomobilityLA ishte një event jashtëzakonisht i qetë për vitin 2026, me vetëm dy prezantime të rëndësishme automjetesh, përfshirë modelin G80 Hybrid dhe Elantra-n e re të Hyundai-t. Si sedani G80, ashtu edhe SUV-i GV80 u prezantuan në Los Anxhelos si modele të vitit 2027, të pajisura me sistemin hibrid të gjeneratës së ardhshme të Hyundai Motor Group.
Sistemi i ri hibrid përfshin një motor me katër cilindra 2.5-litërsh me turbo, të shoqëruar nga një transmision automatik me shtatë shpejtësi që përmban një motor elektrik, për një fuqi totale të sistemit prej 347 kuaj-fuqi (255 kW) dhe me një moment rrotullues të barabartë me atë të motorit V6 3.5-litërsh me dy turbo, i cili është motori premium për modelet G80 dhe GV80. Genesis deklaron se efikasiteti i karburantit është 24% më i lartë te modeli SUV dhe 30% më i lartë te modeli sedan me sistemin hibrid.
Përmirësimi i efikasitetit sjell distancë më të gjatë udhëtimi ndërmjet dy furnizimeve me karburant, ku si modeli sedan ashtu edhe ai SUV ofrojnë një autonomi lëvizjeje prej më shumë se 500 miljesh (805 km). Nuk kërkohet asnjë lloj pajisjeje për karikim nga priza.
Transmisioni automatik me shtatë shpejtësi dhe motori elektrik ofrojnë sistemin e tërheqjes me të gjitha rrotat si pajisje standarde dhe gjithashtu mundësojnë frenim rigjenerues të rregullueshëm. Kjo i lejon drejtuesit të zgjedhë nivelin e intensitetit të frenimit rigjenerues, duke përshtatur reagimin e frenimit sipas preferencave të tij. Cilësimet përfshijnë zgjedhje manuale dhe një opsion “Smart” (i zgjuar), i cili e rregullon frenimin automatikisht për t’iu përshtatur kushteve të drejtimit.
Modelet G80 Hybrid dhe GV80 Hybrid dallohen nga versionet e tyre vetëm me benzinë përmes një dizajni tredimensional “G-Matrix” në grilën e përparme, dizajneve të reja dhe ekskluzive të rrotave, si dhe mundësive të reja për ngjyrat e jashtme. Për modelet hibride janë gjithashtu të disponueshme opsione të reja për ambientin e brendshëm me dy ngjyra dhe lëkurë Nappa.
Genesis ka premtuar më shumë detaje rreth çmimeve, specifikimeve dhe disponueshmërisë në treg për modelet GV80 Hybrid dhe G80 Hybrid, të cilat do të bëhen të ditura më afër lançimit të tyre në fillim të vitit 2027.
Burimi: Genesis
Burimi: newatlas.com

