Air Montenegro përuroi sot linjën e parë nga pesë linjat e reja të Detyrimit të Shërbimit Publik (PSO), duke vendosur fluturimet ndërmjet Podgoricës dhe Zagrebit. Fluturimet do të kryhen tri herë në javë me mjetin fluturues Embraer E195 me 118 ulëse. Gjatë fjalës së mbajtur në ceremoninë e inaugurimit në Zagreb, drejtori ekzekutiv i Air Montenegro, Vukadin Stojanović, u shpreh: “Kemi kënaqësinë të njoftojmë se fluturimi inaugurues i Air Montenegro nga Podgorica sot është pothuajse i mbushur plot.
Kjo kërkesë e fortë konfirmon arsyen e hapjes së kësaj linje, veçanërisht duke pasur parasysh se sa kohë më parë u njoftua ajo. Përveç lidhjes së dy kryeqyteteve, ne do të vazhdojmë të punojmë për të përmirësuar lidhjet me destinacione të tjera”. Nicolas Duthilleul, anëtar i Bordit Drejtues të Aeroportit të Zagrebit, vuri në dukje: “Jemi të kënaqur t’i urojmë mirëseardhjen aviokompanisë Air Montenegro në Zagreb dhe të festojmë nisjen e këtij shërbimi të ri. Shërbimi i rregullt pa ndalesa gjatë gjithë vitit ndërmjet Podgoricës dhe Zagrebit është një shtesë e vlefshme në rrjetin tonë të linjave.
Me padurim presim të bashkëpunojmë me Air Montenegro dhe të zhvillojmë më tej partneritetin tonë”. Sipas kontratës njëvjeçare të detyrimit të shërbimit publik (PSO) të fituar nga Air Montenegro, fluturimet për në Bruksel do të fillojnë më 30 nëntor dhe për në Frankfurt më 4 dhjetor, ndërsa fluturimet për në Bari dhe Paris do të nisin më 17 dhjetor. Të pesë linjat do të operohen nga tri herë në javë gjatë gjithë vitit.
Ministria e Transportit e Malit të Zi fillimisht ftoi linjat ajrore që t’i operonin linjat mbi baza tregtare, sipas kushteve të përcaktuara nga qeveria. Meqenëse asnjë kompani ajrore nuk u tregua e gatshme të ofronte shërbimet e kërkuara pa mbështetjen e shtetit, ministria e shpalli tenderin për secilën linjë veç e veç, duke u lejuar transportuesve të bënin ofertë për një ose më shumë destinacione. Air Montenegro ishte ofertuesi i vetëm dhe siguroi të pesë kontratat në muajin shtator. Kontratat kanë një vlerë totale të llogaritur prej 4.79 milionë eurosh, pa përfshirë TVSH-në.
Linja e Brukselit zë pjesën më të madhe me afërsisht 1,49 milionë euro, e ndjekur nga Parisi me 1,05 milionë euro, Frankfurti me 912.660 euro dhe Bari me 680.742 euro. Rruga e Zagrebit ka fondin më të vogël, me 661.790 euro. EX-YU Aviation News
Burimi: EX-YU Aviation News

