Një startup gjerman, teknologjia e të cilit përshtat modelet e inteligjencës artificiale (AI) për çipa të ndryshëm gjatë procesit të inferencës, ka siguruar 6 milionë euro në një raund financimi fillestar, njoftoi kompania sot.
Daisytuner i ka siguruar këto fonde në një raund të udhëhequr nga Elaia dhe LEA Ventures, me pjesëmarrjen e Amadeus APEX Technology Fund dhe Seedcamp.
Daisytuner është pjesë e një gjenerate të re startup-esh që po përpiqen ta bëjnë më të lehtë ekzekutimin efikas të modeleve të AI në çipa të ndryshëm, në një kohë kur rivalët po sfidojnë dominimin e Nvidia-s. Teknologjia e saj e AI, e quajtur Daisyflow, akordon modelet e AI gjatë inferencës, procesi kompjuterik i ekzekutimit të një modeli të AI, për dallim nga trajnimi i tij.
Teknologjia e Daisytuner kombinon një përpilues (compiler) të fuqizuar nga AI, i cili optimizon automatikisht softuerin për të funksionuar në çipa të ndryshëm, me Daisyflow, një platformë që u mundëson kompanive të ekzekutojnë modele të AI gjatë inferencës.
Kompanitë mund ta vendosin Daisyflow në qendrat e tyre të të dhënave, në vend që të mbështeten te një ofrues i jashtëm i shërbimeve cloud për AI.
Në një testim të brendshëm, Daisytuner pretendon se Daisyflow e ekzekutoi modelin Qwen 2.5 të Alibaba-s deri në 18 për qind më shpejt se vLLM, një motor inference me burim të hapur që përdoret gjerësisht, në procesorët grafikë AMD Instinct.
Daisytuner thotë se do t’i përdorë fondet për të zgjeruar bazën e klientëve të saj ndërmarrës, për të zhvilluar teknologjinë e përpiluesit dhe për të rritur ekipin e saj, i cili përfshin studiues nga institucione si ETH Zurich, TU Munich, RWTH Aachen, TU Darmstadt dhe Laboratori Kombëtar Lawrence Livermore.
Burimi: Tech.eu

