Pronto Ventures, e themeluar nga ish-drejtori menaxhues i Techstars, Martin Olczyk, është nisur në OGR Torino për të mbështetur startup-et në fazat e hershme përmes mundësive të investimit, zhvillimit praktiko-operativ të bizneseve, edukimit mbi sipërmarrjen dhe ndërtimit të komunitetit.
Kompania me bazë në Torino synon të ndihmojë startup-et në fazat parakohërore (pre-seed) dhe fillestare (seed) nga Italia, Europa Qendrore dhe Lindore (EQL), rajoni më i gjerë i Europës në Zhvillim dhe më gjerë, që t’i kthejnë arritjet e hershme në treg në biznese të qëndrueshme dhe të zgjerohen ndërkombëtarisht.
Ndërsa startup-et evropiane vazhdojnë të përballen me pengesa për zgjerimin ndërkombëtar, duke përfshirë dallimet rregullatore dhe qasjen e kufizuar në kapitalin e rritjes, Pronto synon të ofrojë mbështetje përtej financimit. Qasja e tij përqendrohet te sigurimi i klientëve, proceset e shitjeve, zhvillimi operacional dhe përgatitja për mbledhjen e fondeve, duke lidhur gjithashtu themeluesit me mentorë, specialistë të industrisë, klientë të mundshëm dhe investitorë.
Një pjesë qendrore e punës së Pronto-s është menaxhimi operacional i New Altitude – Torino Scaling Platform, një nismë e promovuar nga Fondazione Compagnia di San Paolo, Fondazione Sviluppo e Crescita CRT, Intesa Sanpaolo Innovation Center dhe Neva SGR përmes Fondo Sviluppo Ecosistemi di Innovazione.
E krijuar për startup-et italiane dhe ndërkombëtare në fazat “pre-seed” dhe “seed”, New Altitude kombinon investimin me dymbëdhjetë muaj mbështetje të përshtatur. Pronto mbikëqyr përzgjedhjen e startup-eve, vlerësimin fillestar dhe mbështetjen e themeluesve, ndërsa aplikimet janë të hapura gjatë gjithë vitit.
Torino shërben si pika e nisjes për rrjetin ndërkombëtar të Pronto-s, duke bashkuar kompani industriale, universitete, institucione kërkimore dhe organizata financiare.
Për themeluesit, vlera e një ekosistemi varet nga njerëzit që mund të takojnë dhe ajo që mund të arrijnë së bashku. Në Torino, kjo do të thotë qasje te kompanitë industriale, hulumtuesit, investitorët dhe sipërmarrësit e tjerë,
tha Martin Olczyk, themelues dhe drejtor ekzekutiv i Pronto Ventures.
Përtej Italisë, Pronto po i kushton një vëmendje të veçantë Evropës Qendrore dhe Lindore, si dhe rajonit më të gjerë të Evropës në Zhvillim, ku themeluesit shpesh kanë qasje më të kufizuar në kapitalin e fazës së hershme, në ekspertizën e zhvillimit të biznesit dhe në rrjetet tregtare ndërkombëtare krahasuar me homologët e tyre në qendrat e konsoliduara evropiane të start-up-eve.
Nuk mungon as talenti dhe as ambicia në të gjithë Evropën Qendrore dhe Lindore (EQL) dhe në rajonin më të gjerë të Evropës në Zhvillim. Mundësia që paraqitet konsiston në lehtësimin e qasjes së themeluesve te kapitali, klientët, ekspertiza dhe marrëdhëniet ndërkufitare që i ndihmojnë kompanitë të shënojnë sukses të merituar,
Pronto është tashmë aktive në Budapest përmes arsimimit të sipërmarrësve dhe nismave të rrjetëzimit që bashkojnë themeluesit, investitorët dhe aktorët e tjerë të ekosistemit në Itali dhe në Evropën Qendrore e Lindore.
Përmes këtyre nismave, Pronto synon ta vendosë Torinon si një bazë për rritjen e start-opeve ndërkombëtare, duke ndihmuar gjithashtu themeluesit italianë dhe partnerët e ekosistemit që të kenë qasje në tregje dhe mundësi të reja në të gjithë Evropën.
Burimi: Tech.eu

