Shuttle, një kompani irlandeze e teknologjisë financiare (fintech) platforma e rregulluar e së cilës u lejon sindikatave të investimeve dhe menaxherëve të fondeve të mbledhin dhe vendosin kapital matanë kufijve, është nisur zyrtarisht me autorizim nga Autoriteti i Sjelljes Financiare (FCA) në Mbretërinë e Bashkuar, përveç autorizimit ekzistues nga Banka Qendrore e Irlandës. Drejtuesit e sindikatave, menaxherët e fondeve dhe themeluesit tani mund të realizojnë marrëveshje në një platformë të vetme, të rregulluar si në Bashkimin Evropian ashtu edhe në Mbretërinë e Bashkuar, duke sjellë investitorë nga e gjithë Evropa dhe Shtetet e Bashkuara.
Lançimi vjen në një kohë kur po shtohet pasiguria rreth “EU Inc”, regjimit të propozuar “të 28-të” që synon t’i sigurojë startups evropiane një strukturë të vetme kompanie.
Edhe nëse miratohet, kjo adreson vetëm vendin e regjistrimit të një kompanie, e jo mënyrën se si ajo siguron fonde. Një pjesë gjithnjë e më e madhe e kapitalit në fazat e hershme vjen nga sindikatat, rrjetet e investitorëve engjëj dhe menaxherët e fondeve për herë të parë, investitorët e të cilëve ndodhen në vende të ndryshme, me rregulla, banka dhe burokraci të ndryshme, ndërkohë që shumë prej atyre marrëveshjeve ende bazohen në skedarë Excel-i dhe dokumente ligjore të përshtatura rast pas rasti.
Shuttle ka siguruar 1 milion dollarë deri më tani për të zgjidhur këtë problem, me investime që vijnë nga Baseline, Enterprise Ireland dhe investitorë engjëj, përfshirë drejtorin e përgjithshëm të Revolut Holdings, drejtorin e përgjithshëm për Evropën Perëndimore në ElevenLabs dhe zëvendëspresidentin për rajonin EMEA në Astronomer.
Scott Ashmore dhe Rob Halligan bashkëthemeluan kompaninë, e cila u lançua në dhjetor 2024 për t’i ndihmuar investitorët të kenë akses në marrëveshjet e sipërmarrjes. Deri më sot, ajo ka lehtësuar marrëveshje për 180 investitorë, së bashku me shumë fonde të njohura të kapitalit të sipërmarrjes në Evropë. Kompanitë që kanë menaxhuar raunde financimi në këtë platformë përfshijnë ofruesin e llogarive të biznesit të fuqizuara nga inteligjenca artificiale Seapoint, startup-in e integrimit të inteligjencës artificiale Jentic, si dhe platformën e planifikimit të shitjeve dhe inteligjencës së vendimmarrjes Lative.
Scott Ashmore, drejtor ekzekutiv dhe bashkëthemelues i Shuttle, u shpreh:
“Europa ka kaluar vite duke u përpjekur t’u sigurojë themeluesve një treg të vetëm në të cilin mund të ndërtojnë. Ne nuk mund ta regjistrojmë kompaninë tuaj në një vend të vetëm, por mund t’ju lejojmë të siguroni fonde në një vend të vetëm. Një drejtues sindikate në Dublin duhet të jetë në gjendje të përfshijë investitorë engjëj nga Londra, Berlini dhe New York-u me po aq lehtësi sa edhe nga vendi i tij. Këtë kemi ndërtuar ne dhe kjo është tashmë funksionale.”
Në Shuttle, një drejtues sindikate ose menaxher fondi mund ta kthejë një prezantim biznesi (pitch deck) në një projektmarrëveshje, të regjistrojë dhe verifikojë investitorët, të mbledhë zotimet përmes pagesave të integruara dhe ta mbyllë marrëveshjen me anë të nënshkrimit elektronik dhe një pagese të vetme.
Agjentët e inteligjencës artificiale hartojnë marrëveshje, ndjekin angazhimet, ndihmojnë në plotësimin e procedurave të njohjes së klientit (KYC) dhe përgatisin raporte për investitorët, ndërsa drejtuesit mund të menaxhojnë gjithçka përmes WhatsApp-it, pa u ndërmarrë asnjë veprim pa miratimin e një personi. Themeluesit përfitojnë një tabelë të kapitaleve (cap table) që përditësohet vetë sapo mbyllet një raund financimi. Investitorët mund të shohin çdo pozicion, përditësim dhe certifikatë lehtësimi tatimor në një llogari të vetme, ndërsa anëtarët e sindikatave të investimeve mund të parapagojnë llogarinë e tyre për të investuar automatikisht në marrëveshje që plotësojnë kriteret e vendosura prej tyre paraprakisht.
Fiona Kelly, bashkëthemeluese dhe themeluese e përgjithshme në Baseline, shprehet:
“Rob dhe Scott kanë ndërtuar diçka shumë mbresëlënëse me burime të kufizuara. Kemi vite që kryejmë marrëveshje në bashkëinvestim dhe kemi parë apo përdorur kompani të ngjashme si Odin, Carta dhe të tjera.
Ato thjesht nuk krahasohen me atë që ka ndërtuar ekipi i Shuttle. Dhe, falë faktit se i kanë kushtuar kohë sigurimit të rregullimit të drejtpërdrejtë, ata mund të ofrojnë veçori unike, si bashkëinvestimi për sindikatat dhe fondet, si dhe investimi automatik për investitorët privatë.”
Me autorizimin e FCA-së, Shuttle është zgjeruar me një degë të re në Mbretërinë e Bashkuar, në Londër. Kompania ka emëruar gjithashtu Sinead Fitzmaurice, ish-drejtore ekzekutive e institucionit global të pagesave TransferMate, si administratore të pavarur joekzekutive.
Burimi: Tech.eu

