Kompania evropiane e infrastrukturës së inteligjencës artificiale (AI), Nebius, raportoi sot një rritje të të ardhurave tremujore në 981 milionë dollarë, por bëri të ditur se disa nga qendrat e saj të të dhënave me bashkëvendosje (co-location), të cilat mbështesin AI-në, janë përballur me vonesa.
E ashtuquajtura “neocloud” gjithashtu njoftoi se ka vërejtur një rritje të përdorimit të modeleve me peshë të hapur (open-weight) në platformën e saj. Nebius raportoi një kërcim prej 571 për qind të të ardhurave në tremujorin e tretë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke arritur në 981 milionë dollarë, të nxitura nga kërkesa për ofertën e saj të infrastrukturës së AI-së.
Nebius, e cila ndonjëherë referohet si “neocloud”, ndërton dhe operon qendra të dhënash, duke i pajisur ato me njësi përpunimi grafik (GPU), dhe më pas ofron akses në këto qendra për kompanitë e AI-së dhe ndërmarrjet që kanë nevojë për fuqi kompjuterike, si dhe u ofron atyre softuer të specializuar për të ekzekutuar aplikacione të inteligjencës artificiale.
Kompania, e listuar në bursën e Amsterdamit, raportoi një humbje neto prej 37.5 milionë dollarësh për këtë tremujor, një reduktim ky krahasuar me humbjen prej 119.6 milionë dollarësh të vitit të kaluar. Muajin e kaluar, Nebius humbi më shumë se një të tretën e vlerës së saj, pasi investitorët ngritën pikëpyetje nëse bumi i infrastrukturës së AI-së po bëhej tepër i shtrenjtë për t’u mbështetur.
Kompania thotë se pret të arrijë pikën e barazimit (break-even) përpara taksave deri në fund të vitit 2027.
Nebius njoftoi sot se është përballur me vonesa në qendrat e saj të të dhënave me bashkëvendosje, duke përfshirë objektin e saj prej 300 MW në Vineland, Nju Xhersi.
Drejtori ekzekutiv i Nebius, Arkady Volozh, u shpreh: “Ndërtimi në këtë shkallë është i vështirë dhe vonesat janë pjesë e industrisë sonë për momentin. Ne nuk jemi imunë. Për shembull, disa nga vendet tona të bashkëvendosjes, përfshirë Nju Xhersin, janë prapa planifikimit. Klientët janë mbajtur të informuar dhe asnjë nga ato kapacitete nuk është anuluar.”
Vonesa në kampusin e qendrës së të dhënave në Nju Xhersi, ku Microsoft është një klient kryesor, vjen si pasojë e vonesave në furnizimin me energji, tha Nebius.
Vonesa nënkupton se një pjesë e të ardhurave të saj do të zhvendoset nga viti 2026 në vitin 2027, shtoi Nebius.
Duke komentuar ndarjen midis modeleve me peshë të hapur dhe atyre të mbyllura në platformën e saj, Roman Chernin, drejtor i biznesit në Nebius, tha: “Ne kemi parë absolutisht që adoptimi i modeleve të hapura është përshpejtuar edhe gjatë muajve të fundit.
“Sa më e madhe të jetë diversifikimi në treg, aq më mirë është për ne. Ky diversifikim vjen nga modelet e hapura ose mënyra të tjera për të ndërtuar modele të specializuara për raste të ndryshme përdorimi. Kjo zgjeron universin e klientëve dhe partnerëve me të cilët mund të bashkëpunojmë.”
Burimi: Tech.eu

