BE-ja ka propozuar një fond kapitali prej 50 miliardë eurosh për të investuar në kompjuterinë kuantike, inteligjencën artificiale dhe teknologji të tjera thelbësore sovrane, ndërsa sot shpalosi masa që synojnë ta bëjnë Evropën një lider global në teknologjitë kuantike.
Drafti i Aktit Kuantik, i propozuar nga Komisioni Evropian, mbështetet në tri shtylla: kërkimin shkencor; vënien në përdorim të teknologjisë kuantike; dhe ruajtjen e sigurisë së teknologjisë dhe furnizimeve evropiane. Propozimet përfshijnë gjithashtu masa për të ndihmuar firmat evropiane në tenderët e prokurimit.
Komisioni deklaroi: “Ky Akt do të bashkojë programet e Bashkimit Evropian dhe ato kombëtare rreth prioriteteve të përbashkëta për kërkimin, industrinë dhe zbatimin. Ai do të përmirësojë aksesin në financim, infrastrukturën e përbashkët dhe shërbimet e specializuara mbështetëse. Gjithashtu, ai do të mbështesë tranzicionin e Evropës drejt kriptografisë post-kuantike, për të ndihmuar në mbrojtjen e të dhënave, komunikimeve dhe infrastrukturës kritike nga rreziqet e ardhshme kibernetike që lidhen me kompjuterët kuantikë.”
I quajtur Fondi i Barazisë Teknike Sovrane (Sovereign Tech Equity Fund), Komisioni bëri të ditur se fondi i propozuar prej 50 miliardë eurosh do të sigurojë kapital dhe lloje të ngjashme financimi për të mbështetur teknologjitë kuantike, inteligjencën artificiale dhe teknologji të tjera, të cilat janë kyçe për sovranitetin teknologjik dhe aktivitetin ekonomik të BE-së. Sipas Politico, nëpërmjet këtij fondi, BE-ja do të marrë pjesë në kapitalin e kompanive teknologjike evropiane me vlerë qindra miliona euro, me qëllim që ato të ruajnë karakterin e tyre evropian.
Fond i ri është dukshëm më i madh se Fondi “Scaleup Europe” i BE-së prej 5 miliardë eurosh. Paraqitja e projektligjit vjen në një kohë kur në mbarë Bashkimin Evropian ka shqetësime në lidhje me mbështetjen e tepërt te teknologjia amerikane dhe ajo e vendeve të tjera jashtë unionit.
Komisioni po propozon një rrjet të ri institucionesh kryesore kërkimore evropiane, në përpjekje për të rritur potencialin e BE-së në fushën e teknologjisë kuantike. Ai bëri të ditur se do të mbështesë gjithashtu krijimin e infrastrukturave kuantike pan-evropiane për studiuesit dhe kompanitë në të gjithë Evropën, duke përfshirë kompjuterët kuantikë, simulatorët kuantikë dhe pajisjet e imazherisë mjekësore të përmirësuara me teknologji kuantike.
BE-ja dhe shtetet e saj anëtare do të përqendrohen gjithashtu në projekte strategjike për zgjerimin e aftësive kryesore kuantike, duke përfshirë aplikimet industriale dhe prodhimin, njoftoi Komisioni.
Komisioni deklaroi se do të punojë me shtetet anëtare për të monitoruar zinxhirët e furnizimit, për të identifikuar furnitorët dhe komponentët kritikë, si dhe për të reduktuar rreziqet në zinxhirin e furnizimit. Komisioni shtoi se BE-ja do të bashkëpunojë edhe me partnerët ndërkombëtarë për të forcuar zinxhirët e furnizimit dhe për të mbrojtur interesat e përbashkëta të sigurisë.
Projekt-propozimet do të duhet të miratohen nga Këshilli Evropian dhe Parlamenti Evropian përpara se të shndërrohen në ligj.
Burimi: Tech.eu

