Tom Blomfield, bashkëthemelues i Monzo-s dhe një nga sipërmarrësit e teknologjisë më të njohur në Mbretërinë e Bashkuar, është larguar nga roli i tij te gjiganti i inteligjencës artificiale Anthropic pas më pak se gjashtë muajsh, sipas disa burimeve.
Blomfield njoftoi se iu bashkua Anthropic në korrik të këtij viti, duke thënë se po merrte një leje, në kuadër të largimit të përkohshëm nga roli i tij si partner në Y Combinator, akceleratori dhe investitori me seli në San Francisko, për t’iu bashkuar ekipit të llogaritjeve (compute) te Anthropic, kompania që krijon chatbot-in Claude.
Në atë kohë, Blomfield postoi në platformën X: „Inteligjenca artificiale e fuqishme ka potencialin të përmirësojë jetën e çdo njeriu në Tokë dhe, ndërsa hyjmë në fazat e hershme të vetëpërmirësimit rekursiv, disponueshmëria e fuqisë llogaritëse bëhet një nga çështjet më të rëndësishme për t’u zgjidhur. Jam i entuziazmuar për të nisur punën.“
Në muajin shtator, ai shkroi në X: “Prshtypja e përgjithshme për @anthropicAI pas 2 muajsh; një grup super serioz prej njerëzish jashtëzakonisht të apasionuar pas teknologjisë, të cilët janë tejet të përqendruar në sigurimin që kjo historia e inteligjencës artificiale të shkojë mirë për njerëzimin. Nuk është e përsosur në asnjë mënyrë, por ka ndjesinë më të fuqisëshme të misionit nga çdo kompani që kam ndeshur ndonjëherë. Përfshirë edhe @monzo, për të cilën mendoja se ishte një rast i veçantë.”
Bashkëthemeluesi i Monzo-s po punonte me Tom Brown, bashkëthemelues dhe drejtor i llogaritjeve në Anthropic. Nuk dihet arsyeja pse Blomfield është larguar nga Anthropic. Profili i Blomfield në X tregon ende se ai është anëtar i stafit teknik në Anthropic, e cila kohët e fundit ndërmori një IPO madhore.
Blomfield është më së shumti i njohur si bashkëthemelues dhe drejtor ekzekutiv i bankës digjitale Monzo, e cila u lançua në vitin 2015, por ai u largua në vitin 2021 pasi kishte dhënë dorëheqjen më parë nga pozita e drejtorit ekzekutiv. Ai është gjithashtu një investitor engjëll i njohur.
Anthropic refuzoi të komentonte.
Burimi: Tech.eu

