Mandeep Singh, bashkëthemelues i Trouva dhe investitor i hershëm në fushën e AI dhe teknologjive të thella (deeptech), i është bashkuar Tapestry VC si Partner i Përgjithshëm, ndërkohë që firma po investon Fondin e saj të tretë prej 80 milionë dollarësh. Ai do të punojë krah partnerëve Patrick Murphy dhe Audrey Miller, duke operuar mes Londrës dhe San Franciskos.
Si fizikant i diplomuar në Kembrixh, Singh bashkëthemeloi Trouva në vitin 2013 me mbështetjen e Index Ventures dhe LocalGlobe, duke qenë një ndër të parët që përqafoi shkencën e të dhënave dhe mësimin makinerik (machine learning) në Londër. Ai e drejtoi kompaninë si CEO deri në vitin 2020, përpara shitjes së saj në vitin 2022.
Ai ka qenë një mbështetës i hershëm i kompanive të fundit “unicorn” si Fractile (vlerësuar së fundmi me 6,5 miliardë), CuspAI (2,6 miliardë), Fundamental (shitje mbi 1 miliard te SAP), Galileo AI (Google) dhe Convergence AI (Salesforce).
Investimet e tij përfshijnë gjithashtu Conduct, Machenta Robotics, White Circle, Callosum, Lio, incident.io dhe Cursive AI, ndërsa disa nga bastet e tij të hershme kanë tërhequr më pas mbështetjen e firmave kryesore amerikane, duke përfshirë Benchmark, Kleiner Perkins, Founders Fund dhe Lux Capital.
Singh ka qenë “scout” për firma amerikane të kapitalit sipërmarrës, përfshirë a16z dhe Accel; ai është sipërmarrës në rezidencë në Universitetin e Kembrixhit dhe më parë ka shërbyer në bordin global të Amnesty International.
Mandeep Singh, Partner në Tapestry VC, u shpreh:
“Europës nuk i mungon talenti. Ajo që i duhet më shumë janë investitorët që kanë ndërtuar vetë kompani dhe që mund të thellohen në teknologji. Unë i kam përjetuar vështirësitë e kësaj rruge dhe e kam parë nga afër se si themeluesit që e kanë bërë këtë një herë, mund të arrijnë gjëra më të mëdha dhe më të mira herën e dytë.
Tapestry VC i mbështet ata që në fazat e hershme, përpara se të tjerët ta kuptojnë potencialin e tyre, dhe bashkimi me Patrick dhe Audrey do të thotë se tani mund ta bëj këtë me fonde mjaftueshëm të mëdha për të bërë një ndryshim real.”
I lançuar në korrik të vitit 2026, Fondi III prej 80 milionë dollarësh i Tapestry VC shënon një hap të rëndësishëm përpara krahasuar me fondet e mëparshme prej 30 milionë dollarësh. Firma mbështet themeluesit me përvojë në fazat “pre-seed” dhe “seed”, shpesh vite përpara se ata të lançojnë kompaninë e tyre të radhës. Ajo mbështeti Fin AI përpara blerjes së saj prej 3,6 miliardë dollarësh nga Salesforce në qershor të vitit 2026, dhe doli nga investimi i saj “seed” i bërë përpara pandemisë në Hopin, me një vlerësim prej 5,5 miliardë dollarësh. Audrey Miller, Partner në Tapestry VC, tha:
“Për vite me radhë kam parë Mandeep-in të shfaqet në tabelat e kapitalit të kompanive më emocionuese të Europës, përpara se dikush tjetër t’i vinte re ato. Themeluesit i besojnë atij sepse ai ka qenë në pozicionin e tyre dhe rekordi i tij i investimeve flet vetë.
Ai është pikërisht partneri që na duhet ndërsa ndërtojmë Tapestry VC për një afat të gjatë.”
Patrick Murphy, Partner dhe themelues i Tapestry VC, u shpreh:
“Bashkimi i Mandeep me ne është hapi i radhës në ndërtimin e Tapestry VC si partneri kryesor për themeluesit me ambicie transatlantike, të cilët po ndërtojnë sërish në fazat më të hershme. Ne besojmë se themeluesit evropianë duhet të jenë pjesë organike e Silicon Valley që nga dita e parë – dhe anasjelltas. Ne jemi unikë si kompani që jeton dhe punon në të dyja ekosistemet, ashtu siç duhet të bëjnë edhe vetë themeluesit.”
Burimi: Tech.eu

