Motoçikletat elektrike janë jashtëzakonisht efikase në prodhimin e fuqisë, por jo gjithmonë aq efikase në shfrytëzimin e saj në kushte të ndryshme të drejtimit. Shumica e tyre përdorin një transmision me një shpejtësi të vetme, duke u mbështetur te çifti rrotullues i gjerë i motorit elektrik për të kryer çdo gjë, nga nisja në semaforë deri te lëvizja me shpejtësi në autostradë. Është e thjeshtë, është efikase dhe funksionon.
E gjithë kjo ndihmon në një çështje të rëndësishme: mirëmbajtjen. Kjo falë thjeshtësisë mekanike që ofron transmisioni me një shpejtësi. Për dallim nga sistemet konvencionale me shumë marshe, këtu nuk ka tufë, nuk ka mekanizëm të ndërlikuar për ndërrimin e marsheve dhe ka më pak pjesë lëvizëse që mund të konsumohen ose të kërkojnë vëmendje periodike. Kjo nuk përkthehet vetëm në kërkesa më të ulëta për mirëmbajtje, por edhe në më pak pika të mundshme dështimi dhe, në përgjithësi, në më pak shpenzime për një makinë të tillë.
Dhe për një kohë të gjatë, ky ka qenë një nga argumentet kryesore të shitjes. Por, çfarë do të ndodhte nëse një motoçikletë elektrike do të mund të kishte forcën e marsheve të shkurtra gjatë nisjes dhe qëndrueshmërinë e një raporti më të gjatë kur rruga hapet, pa sakrifikuar atë shtytje të pandërprerë që i bën motoçikletat elektrike kaq tërheqëse?
Ky është pikërisht problemi që kompania britanike e inxhinierisë E-Motiv Shift Systems po kërkon të zgjidhë me transmisionin e saj të ri me dy shpejtësi dhe ndërrim të pandërprerë (seamless powershift). I prezantuar në EICMA 2026, ky është një teknologji e cila, nëse përmbush premtimin e saj, mund t’u japë motoçikletave elektrike marshe të vërteta, pa ndërprerjen e zakonshme në shpërndarjen e fuqisë.
Sistemi bazohet në teknologjinë e zhvilluar fillimisht nga Zeroshift për aplikime me motorë me djegie të brendshme gati 25 vjet më parë, e cila përfundimisht gjeti rrugën e saj drejt MotoGP në vitin 2015 përmes Aprilia Racing. Sipas E-Motiv, teknologjia që atëherë është shoqëruar me më shumë se 30 përfundime në podium, duke përfshirë rezultatin historik 1-2-3 të Aprilia-s në Çmimin e Madh të Britanisë në vitin 2026.
Ajo që e bën qasjen e E-Motiv veçanërisht interesante është mënyra se si menaxhon ndërrimin e marsheve. Parimi themelor i Zeroshift përdor unaza angazhimi të dizajnuara posaçërisht, të cilat lejojnë që marshi i dytë të marrë përsipër përpara se i pari të shkëputet plotësisht. Me fjalë të tjera, raporti tjetër është tashmë i angazhuar dhe gati për të marrë ngarkesën, duke eliminuar vonesën e vogël në shpërndarjen e çiftit rrotullues që zakonisht hasim te ndërrimet konvencionale të marsheve.
E-Motiv thotë se kjo teknologji u jep gjithashtu prodhuesve të motoçikletave fleksibilitet të konsiderueshëm në përshtatjen e transmisionit për makineri dhe stile të ndryshme drejtimi. Kjo do të thotë se e njëjta teknologji teorikisht mund të integrohet në motoçikleta të ndryshme, ku karakteristikat e ndërrimit të shpejtësive mund të rregullohen për të ofruar një ndjesi të bazuar në llojin e motoçikletës. Qoftë për kalime më të buta te motoçikletat për udhëtime të gjata (touring), apo për reagime më të mprehta dhe më agresive te makineritë e fokusuara te performanca.
Por tërheqja e shtimit të një marshit tjetër nuk ka të bëjë thjesht me dhënien e një përvoje drejtimi më të njohur, të ngjashme me motorët me djegie të brendshme (ICE), për motoçikletat elektrike. Kjo gjithashtu mund t’i ndihmojë inxhinierët të nxjerrin më shumë nga vetë motori elektrik. Me dy raporte për të punuar, motori mund të mbahet më afër diapazonit të tij optimal të funksionimit, duke ofruar më të mirën e të dy botëve: përshpejtim më të fuqishëm në shpejtësi të ulëta dhe një funksionim më të qetë, potencialisht më efikas, gjatë lëvizjes me shpejtësi më të larta.
Dhe ky nuk është thjesht një koncept imagjinar në këtë fazë. Ai ka mbështetjen e një granti prej 1 milion paundësh (përafërsisht 1,34 milionë dollarë amerikanë) përmes iniciativës “Innovate UK Design and Build” të qeverisë britanike. E-Motiv bashkëpunoi me BSA, Universitetin e Bath-it dhe Institutin e Sistemeve të Avancuara të Propulsionit Automobilistik (IAAPS) për këtë projekt.
Në EICMA-n e këtij viti u shfaq një prototip motoçiklete, i quajtur Demo 1, i cili u konceptua nga konsulenca britanike e dizajnit Envisage dhe aktualisht po ndërtohet nga IAAPS. Një motoçikletë mjaft tërheqëse, sipas mendimit tim modest.
Dhe ndonëse motoçikletat janë fokusi i menjëhershëm, nuk mund të mos pyes veten nëse këtu ekziston një mundësi më e madhe. Makinat elektrike përballen me të njëjtin kompromis thelbësor midis nisjes së shpejtë nga vendi dhe ruajtjes së efikasitetit në shpejtësitë e autostradës.
Një konfigurim me shumë shpejtësi i realizuar siç duhet mund të ndihmojë potencialisht në adresimin e kësaj çështjeje, veçanërisht në vendet perëndimore ku drejtimi në autostradë për distanca të gjata është një pjesë shumë më e madhe e përdorimit të përditshëm të automjeteve. Nëse E-Motiv mund ta bëjë ndërrimin e shpejtësive të funksionojë pa probleme dhe në mënyrë të besueshme te një motoçikletë, ndoshta automjetet elektrike me katër rrota mund të jenë kufiri i ardhshëm.
Burimi: E-Motiv
Burimi: newatlas.com

