Një listë përfundimtare me 500 baret më të mira në botë është përpiluar nga “Top 500 Bars”, bazuar në opinionet e mijëra njerëzve në internet. Renditja, e cila njihet si “mençuria e turmës”, merr parasysh vlerësimet nga rrjetet sociale dhe motorët e kërkimit, si dhe kontributet nga gazetarët, ekspertët dhe ndikuesit. Sipas listës, vendi i parë i takoi Bar Leone në Hong Kong, një bar koktejesh që përqendrohet te pijet klasike dhe ka interierë me tematikë të kulturës popullore italiane. I bashkëthemeluar nga Lorenzo Antinori, i cili zotëron gjithashtu Montana-n e renditur në vendin e tretë, Bar Leone e ka fituar më parë vendin e parë në renditjen “50 Best” dy herë, përfshirë vitin 2026.
Në Evropë, HIMKOK, një bar distileri në Oslo të Norvegjisë, u rendit si bari më i mirë, duke u pozicionuar i dyti në përgjithësi. Bari përdor aquavit-in, xhinin dhe vodkën e tij për të krijuar pije të frymëzuara nga natyra, përbërësit, kultura dhe traditat e Norvegjisë. Line në Greqi, i cili u rendit i pesti në përgjithësi, njihet për verërat e frutave, të prodhuara dhe të shishezuara në vend duke përdorur përbërës nga prodhuesit lokalë. Panda & Sons në Edinburg të Skocisë u rendit i shtati, me barin e tij në stilin “speakeasy” të fshehur pas fasadës së një berberhaneje. Bari është i famshëm për përdorimin e teknikave të ngrirjes.
Vende të tjera evropiane që bënë pjesë në 10-shen e parë përfshijnë Moebius në Milano të Italisë, i cili ka në dispozicion mbi 300 lloje pijesh alkoolike, dhe Paradiso në Barcelonë të Spanjës, një “speakeasy” me një menu tematike që ndryshon çdo vit. 25 baret më të mira në botë përfshijnë një përzierje të objekteve të njohura dhe atyre më pak të njohura, me një gamë karakteristikash dhe specialitetesh unike.
Burimi: Euronews

