Val Thorens në Francë është shpallur për herë të 11-të si vendpushimi më i mirë i skive në botë në ceremoninë e World Ski Awards. Vendpushimi, i vendosur në një lartësi prej 2,300 metrash dhe pjesë e zonës së skive Les 3 Vallées, zuri vendin e parë duke lënë pas Deer Valley në Utah të SHBA-së dhe Kitzbühel në Austri. Të tre këto vendpushime fituan gjithashtu titujt e tyre përkatës kombëtarë.
Suksesi i Val Thorens nuk është për t’u habitur, duke pasur parasysh vendndodhjen e tij unike si vendpushimi i skive më i lartë në Evropë. Vendpushimi ofron akses në rreth 600 kilometra pista, duke e lidhur atë me vendpushime të tjera popullore si Courchevel dhe Méribel. Përveç skijimit, Val Thorens krenohet gjithashtu me një sërë opsionesh akomodimi, duke përfshirë Pashmina Le Refuge, i cili është vlerësuar me çmime, ofron akses të drejtpërdrejtë në pista (ski-in, ski-out) dhe fitoi çmimin për hotelin butik më të mirë.
World Ski Awards, tashmë në edicionin e tij të 14-të, mblodhi votat e profesionistëve të industrisë së skive dhe të publikut për të përcaktuar fituesit. Kandidati më i votuar në çdo kategori mori titullin, ku Val Thorens mori numrin më të madh të votave në kategorinë e Vendpushimit më të Mirë të Skive në Botë.
Zvicra dominoi çmimet për hotelet dhe shaletë, ku W Verbier mori titullin e hotelit më të mirë të skive, ndërsa Grand Hotel Belvedere, një hotel i rrjetit Beaumier në fshatin Wengen ku ndalohet qarkullimi i makinave, fitoi çmimin për hotelin e ri më të mirë të skive. Chalet Zermatt Peak u shpall shalia më e mirë e skive në botë, ndërsa Chalet Harmony e Francës dhe Wedge Mountain Lodge & Spa e Kanadasë plotësuan treshen e parë.
Zvicra gjithashtu mori çmimin për shalinë e re më të mirë të skive, me Chez Madeleine që fitoi përballë Chalet des Légendes të Francës dhe Meigetsu në Aki Niseko të Japonisë. LAAX në Zvicër fitoi çmimin për vendpushimin më të mirë të stilit të lirë (freestyle), duke lënë pas Les 2 Alpes të Francës dhe Whistler Blackcomb të Kanadasë. Ski Dubai u shpall vendpushimi më i mirë i skive në ambiente të mbyllura në botë, duke lënë pas Qianhai Snow World në Shenzhen të Kinës dhe SNØ Oslo të Norvegjisë.
Burimi: Euronews

